Aktivitete me nxënësit e shkollave të mesme për orientim në karrierë

Fondacioni për zhvillimin e arsimit dhe kulturës Albiz filloi me realizimin e projektit “Për planifikim më të suksesshëm të karrierës”, i cili është i mbështetur financiarisht nga Qyteti i Shkupit.

Orientimi profesional i nxënësve ka rëndësi të madhe për sistemin e përgjithshëm shoqëror. Nga orientimi i drejt profesional do të varet nëse njeriu i vërtetë do të gjendet në vendin e vërtetë të punës, ku obligimet e punës do t’i kryejë me profesionalizëm dhe me përgjegjësi. Orientimi i drejt profesional do t’i mundësojë personalitetit të krijojë karrierë të suksesshme profesionale.

Në periudhën 15-17 tetor u realizuan punëtori për nxënësit e shkollave të mesme “Zef Lush Marku”, “Arsenij Jovkov” dhe “Marija Kiri Sklodovska”. Gjatë punëtorive nxënësit u njoftuan se si përgatitet CV, letra e motivimit dhe intervista me punëdhënësit. Nxënësit kishin mundësinë të kuptojnë më shumë se cila është përvoja e tyre, shkathtësitë dhe interesimet e tyre, çfarë pritet prej një vendi pune, si zhvillohet profesionalisht një person etj. Përmes ligjëratës interaktive dhe lojërave ata kishin mundësi të jenë në role të ndryshme. Në këto punëtori morën pjesë gjithsej 53 nxënës.

Më 19 tetor 2018 për nxënësit që morën pjesë në këtë projekt u realizua vizitë studimore në dy kampe universitare: Universiteti i Evropës Juglindore dhe Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik. Gjatë vizitës ata u njoftuan me programet studimore që i ofrojnë këto dy universitete, si dhe patën mundësinë t’i vizitojnë ambientet e komplekseve dhe kushtet për studim.

Më 25 tetor u organizua evenimenti përmbyllës i projektit, ku gjatë punëtorisë njëditore nxënësve ju dha mundësia përmes prezantimeve të lira t’i shprehin ëndrrat e tyre për profesionin e ardhshëm, interesimet dhe sa ata e njohin shokun e tyre. Punëtoria kaloi në një atmosferë mjaft të këndshme dhe nxënësit shprehën gatishmëri dhe dëshirë që të marrin pjesë në evenimente të ngjashme edhe në të ardhmen.